13:30 / E Hënë, 13 Janar 2020 / indeksADMonline

Lajm i mirë për gjilanasit, tashmë s’kanë nevojë për klinikat private, që t’i kryejnë CT-të

Shëndetësia në vend është një nga problematikat më të mëdha pavarësisht çdo qeverisje.

Mungesat e shumta në spitalet kosovare dhe mosfunksionimi si duhet i vështirësojnë jetën shumë qytetarëve. Shumë prej qytetarëve kërkojnë shërbim jashtë vendit, si pasojë e mosfunksionimit të duhur nëpër qendrat spitalore.

Por siç duket lajme të mira po vijnë edhe në këtë drejtim, dita-ditës.

Një lajm i tillë u bë i ditur sot nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili theksoi se CT 128 shtresore, e para e këtij lloji në institucionet publike, në vlerë prej 400 mijë euro tashmë është në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, raporton Indeksonline.

“Edhe 100 mijë euro të tjera për pajisje për repartin e Kardiologjisë, Neurologjisë dhe Pulmologjisë të këtij spitali”, tha ai.

Ismaili falënderoi qeverinë e Luksenburgut që përmes programit përkrahës për shëndetësi në Kosovë mundësuan blerjen e këtyre pajisjeve.

Repartet e Kardiologjisë, Neurologjisë dhe Pulmologjisë për vite me radhë nuk arritën që të ofronin shërbimet e nevojshme pacientëve të cilëve u duhej të kryenin CT-të./Indeksonline/