22:42 / E Enjte, 27 Shtator 2018 / indeksADMonline

Lajm i mirë për njohjen e patentë shoferëve të Kosovës nga Gjermania

Shefi i diplomacisë së Kosovës, Behgjet Pacolli ka takuar homologun e tij gjerman, Heiko Mass, i cili i ka konfirmuar pozicionin e Kancelares Merkel, në dialogun Kosovë – Serbi, që e sheh zgjidhjen përfundimtare në përputhje me vlerat evropiane, si zgjidhje stabilizuese për dy vendet dhe rajonin në përgjithësi.

Pacolli ka shtuar se nga homologu i tij ka kërkuar ndihmë për liberalizimin e vizave, Interpol-in dhe për njohjen e patentave kosovare të udhëtimit, shkruan Indeksonline.

Postimi i Pacollit në Facebook:

E takova për herë të dytë gjatë UNGA-s, ministrin gjerman të punëve të jashtme Heiko Mass. Në këtë takim zyrtar që patëm në selinë e misionit gjerman në OKB, i shpreha homologut tim, mirënjohjen për rolin gjerman në ndaljen e genocidit, në ndërtimin e shtetit të Kosovës, në mikpritjen e diasporës së madhe kosovare, plotësisht të integruar në vendin e tij.

E informova zotëri Heiko Mass me ecurinë e dialogut me Serbinë dhe ai më rikonfirmoi pozicionin e Kancelares Merkel, që e sheh zgjidhjen përfundimtare në përputhje me vlerat europiane, si zgjidhje stabilizuese për dy vendet dhe rajonin në përgjithësi. I kërkova një konvergjencë më të madhe të Gjermanisë me SHBA-të në lidhje me dialogun, duke patur parasysh se vendi i tij është vend udhëheqës i Bashkimit Europian.

Kërkova ndihmë për liberalizimin e vizave, Interpol-in, dhe për njohjen e patentave kosovare të udhëtimit. Më garantoi se për këtë çështje do të veprohej shumë shpejt sipas modelit që Gjermania miratoi me Maqedoninë. Gjermania mbetet si gjithmonë mbështetëse e madhe e Kosovës dhe ne nuk mund të mendojmë përparimin tonë pa mbështetjen e këtij shteti mik dhe Kancelares Merkel !