75 Mall Live Search
15:13 / E Premte, 06 Maj 2022 / B O

Lajm i mirë për stafin mbështetës në MSH, SHSKUK kërkon vazhdimin e kontratave të tyre!

Në muajin qershor pritet të përfundojnë kontratat për stafin mbështetës të Ministrisë së Shëndetësisë që është angazhuar në kuadër të pandemisë.

Stafi mbështetës ku përfshihen mjekë, infermierë, teknikë dhe të tjerë kanë dhënë kontribut të vazhdueshëm në të gjitha qendrat spitalore në Kosovë, ndihmë e cila është vërejtur edhe me përmirësimin e kushteve dhe trajtimit spitalor në vend.

Indeksonline ka pyetur Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me fatin e qindra punëtorëve që janë të angazhuar si staf mbështetës.

MSH ka thënë se fati i punëtorëve do të varet nga gjendja pandemike në vend dhe nevojës.

“Me qellim të ngritjes se kapaciteteve për ballafaqim me pandeminë COVID-19, MSh ka angazhuar mjekë, infermierë, teknikë, inspektorë dhe staf mbështetës.

Ky staf ka kontrata deri ne gjysmen e pare te vitit 2022 dhe aktualisht në listë rreth 430 mjekë dhe reth 840 infermiere dhe staf mbeshtetes.Vazhdimi apo mos vazhdimi i kontratave eshte çështje që do te vlerësohet nga Ministria e Shëndetësisë, varësisht nga gjendja pandemike në vazhdim, bazuar në aktet ligjore ne fuqi dhe ato për luftimin e pandemisë në vend”, thuhet në përgjigje.

Indeksonline ka pyetur SHSKUK-në të cilët kanë mbështetur punën e madhe që po bëjnë qindrat punëtorët e stafit ndihmës.

Të njëjtit kanë konfirmuar se janë duke përgatitur kërkesën për Ministrinë e Shëndetësisë që kontratat tu vazhdohen ngase ata janë shumë të nevojshëm në situatën aktuale.

“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës është duke përgatitur shkresën me arsyeshmëri për Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me nevojën që kanë klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme për stafin e angazhuar nga Ministria.

Ky staf ka kryer punë të mirë dhe nevojat për klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme është e madhe, andaj janë të nevojshëm edhe mëtej për të kryer shërbime shëndetësore për pacientët” thuhet në kërkesën e SHSKUK-së, dhënë për Indeksonline.