23:34 / E Hënë, 02 Tetor 2023 / C E

Lajme të mira nga Londra, Broja nuk ka pësuar lëndim serioz

Një gol, një rast i humbur, disa shpërthime dhe shumë punë për skuadrën. Ishin këto statistikat e Armando Brojës në rikthimin e tij në fushë si titullar, pas një mungese 10-mujore për shkak të një dëmtimi të rëndë.

Sulmuesi kuqezi udhëhoqi Chelsean drejt rikthimit te fitorja e munguar që prej 25 gushtit, megjithatë i trembi të gjithë në minutën e 64-t, kur kërkoi zëvendësim dhe u pa të largohej duke çaluar, i shoqëruar nga mjekët.

Gjithsesi paraprakisht mësohet se bëhet fjalë për një lodhje muskulore dhe aspak shqetësuese, duke qenë se sulmuesi 22-vjeçar luante pas një mungese shumë të gjatë.

Edhe vetë Broja u pa të mjaft i qetë dhe i qeshur në përfundim të ndeshjes, teksa krahas përgëzimit nga shokët e skuadrës, shkoi edhe poshtë tribunës së tifozëve të Chelseat për të festuar fitoren, si për të konfirmuar se nuk kishte asgjë shqetësuese.