12:17 / E Premte, 21 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Lajmi i rremë për njohje nga Xhamajka, Konjufca paralajmëron masa

Presidenti Hashim Thaçi tha mbrëmë se shteti i Xhamajkës e ka njohur Kosovën, duke u thirrur në një njoftim që i pari i vendit tha se ia ka bërë ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku.

Këtë e mohoi ministrja për Punë të Jashtme dhe Tregti e Xhamajkës, Kamina Johnson-Smith duke thënë se “deri tash nuk ka asnjë njohje për Kosovën” nga shteti i saj.

Për këtë ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, transmeton IndeksOnline.

Ai ka bërë të ditur se mbrëmë Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, përmes postës elektronike e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për njohjen nga Xhamajka.

Po ashtu, tha se pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit.

“Mbrëmë, Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, znj. Vlora Çitaku, përmes postës elektronike e ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për njohjen nga Xhamajka.

Në rrafshin profesional, informata zyrtare e një Ambasadori/eje, drejtuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, konsiderohet si akt i mirëqenë dhe merret në konsideratë si e tillë.

Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Ambasadën tonë në SHBA, për të sqaruar situatë e krijuar.

Si Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas shqyrtimit të situatës, shumë shpejt do të ndërmarrë veprime në përputhje me përgjegjësitë e secilit”, ka thënë ai./IndeksOnline/