Lammy, pas takimit me Osmanin: Diskutuam për bashkëpunim dhe marrëdhënie më të fortë dhe më të thellë

Presidentja e Republikës së Kosovës priti sot në takim sekretarin e Jashtëm britanik, David Lammy.
Gjatë takimit, dyshja bisedoi rreth çështjeve relevante në sektorin e sigurisë, shkruan IndeksOnline.
Pas përfundimit të takimit, Osmani dhe Lammy dolën në konferencë për media, ku presidentja shfrytëzoi rastin të falënderojë sekretarin britanik për mbështetjen dhe ndihmën e pashoq të Mbretërisë së Bashkuar, karshi Kosovës.
Osmani shprehu mirënjohje për ndihmën e jashtëzakonshme në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe Ministrisë se Mbrojtjes.
Në anën tjetër, Lammy e falënderoi Osmanin për mikpritjen, duke deklaruar se Mbretëria e Bashkuar do të qëndrojë përkrah Kosovës, në rrugëtimin e saj të zhvillimit dhe shtet-ndërtimit.
Lammy pohoi se qëllimi i Tony Blairit ishte që Kosova të jetë e aftë të formësojë të ardhmen e saj, dhe se ai është i dedikuar për të njëjtin qëllim sot.
“Prandaj, me Osmanin diskutuam për një bashkëpunim dhe marrëdhënie më të fortë dhe më të thellë. Mezi pres të vij sërish në Kosovë” u shpreh Lammy.
Lammy u shpreh se Mbretëria e Bashkuar mirëpret progresin që vendi ka bërë në organizimin e zgjedhjeve dhe shpreson ne formimin sa më të shpejt të qeverisë së re.
“Shpresoj që qeveria e ardhshme do t’i adresojë nevojat e të gjithë qytetarëve, duke përfshirë progresin në integrimin e serbëve të Kosovës dhe angazhimin e fuqishëm në dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Europian. Pres të punojmë me kolegët europianë dhe ta luajmë rolin tonë të plotë për t’u siguruar që të kemi dialog, por edhe të kemi progres që funksionon për popullin e Kosovës dhe popullin e Serbisë”, tha ai.