16:23 / E Mërkurë, 13 Dhjetor 2023 / S Z

Lansohen tri shërbime të reja elektronike për tatimpaguesit

Sot u lansuan tri shërbime të reja elektronike për tatimpaguesit: udhëzuesi interaktiv për obligimet tatimore, kalkulatorët tatimorë si dhe vegla për raportimet online të evazionit tatimor.

Në eventin për prezantimin e këtyre inovacioneve ishin prezent: Zv. Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Z. Avni Zogiani, Drejtori në Zyrën për Rritje Ekonomike në USAID – Dega në Kosovë, Z. Alexander Albertine si dhe Zv. Drejtori Ekzekutiv në Administratën Tatimore të Kosovës, Z. Ilir Murtezaj.

Përgjatë fjalës së tij hyrëse, Zv Ministri Zogiani theksoi se: “Dixhitalizimi dhe zvogëlimi i barrës administrative janë disa nga prioritetet tona si MFPT dhe në lidhje me këtë kemi dixhitalizuar shumë shërbime. Prezantimi i këtyre veglave dixhitale në ATK mundëson shërbime më të qasshme për qytetarët dhe i kontribuon reformimit të brendshëm të ATK – së.”

Ndërsa, Drejtori në Zyrën për Rritje Ekonomike në USAID deklaroi se “ USAID do të vazhdojë të përkrahë Qeverinë e Kosovës në projekte që synojnë rritjen ekonomike. USAID vlerëson progresin e bërë për të përmirësuar procedurat drejt shërbimeve sa më efikase”.

Zv. Drejtori Z. Murtezaj deklaroi “veglat dixhitale të prezantuara sot rrisin kualitetin e shërbimeve të ofruara për qytetarët”. Murtezaj gjithashtu falënderoi MFPT – në dhe USAID për përkrahjen e deritanishme.

Në pjesën e dytë të eventit pasoi një diskutim i hapur së bashku me panelistët nga bizneset dhe OJQ – të me theks të veçantë tek dixhitalizimi dhe ofrimi i shërbimeve tatimore sa më të lehta dhe efikase për qytetarët.