Lansohet programi i bursave për nivelin master

Përmes programit të bursave të nivelit master “Young Cell Scheme” studentët e Kosovës do të kenë mundësi që të vazhdojnë shkollimin master jashtë vendit.
Ky program është lansuar sot dhe vlen për vitin akademik 2023 – 2024 dhe është projekt i Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ky program ka filluar zbatimin që nga vitit 2004 dhe deri më tani janë dërguar deri në 360 studentë.
Shefi i zyrës së BE -së në Kosovë, Tomas Szunyog tha se këtë projekt ka filluar ta bashkëfinancojë edhe qeveria e Kosovës, ndërsa në këtë raund do të ndahen 4.5 milion euro nga BE dhe 1.5 milion nga qeveria.
“BE-ja fillimisht nis të mbështesë arsimin e nivelit master të shërbyesve civil në Kosovë në vitin 2004. Që atëherë, 364 nëpunës civil u arsimuan në fushat që i konsideronte më të nevojshme Qeveria dhe u kontribua shumë në punën e administratës publike në Kosovë dhe në cilësin e shërbimeve që ofron”, tha ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Sipas tij, me fillimin e raundit të 13-të të Programit të Bursave për Master të BE-së, i cili do të përfshijë së paku 40 studentë të rinj dhe nëpunës civil, BE po vazhdojmë ta mbështesim Kosovën në përmirësimin e administratës së saj publike dhe në aspektin për ta bërë atë jopolitike dhe më profesionale, transparente dhe të përgjegjshme.
“Ne inkurajojmë fuqishëm pjesëmarrjen e grave dhe komuniteteve joshumicë në program”, ka thënë Szuniog, sipas të cilit, investimi i BE-së në 12 të parat dhe tre raundet e reja të Programit të Bursave Master do të arrijë në 15.3 milionë euro.
E Qeveria e Kosovës ka filluar bashkëfinancimin e programit që nga raundi i 11-të dhe me zotimin për tre raundet e ardhshme do të ketë investime 2.5 milionë euro në arsimimin e nëpunësve civil në universitetet e BE-së.
Zavendëskryimistri Besnik Bislimi tha se ky projekt ka për qëllim përmirësimin e administratës publike, pasi që studentët që do të përfitojnë nga këto bursa do të kthehen në Kosovë dhe do të kontribuojnë brenda administratës publike.
“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për avancimin e mëtejmë të procesit të reformave të administratës publike, duke e shfrytëzuar projektin si një nga mundësitë më të mira që siguron dhe promovon transparencën dhe meritokracinë në shërbimin civil. Këtë projekt e konsiderojmë unik, sepse mundëson arritjen e njëkohshme të disa qëllimeve”, ka thënë zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi.
Deri në vitin 2026, të paktën 470 persona nga Kosova duhet të përfitojnë nga programi.
Ndryshe, tri raundet e ardhshme të programit do të zbatohen nga Universiteti Aristoteles i Selanikut nga Greqia, dhe Instituti Kombëtar i Shërbimit Publik, nga Franca, në bashkëpunim të ngushtë me Qeverinë e Kosovës.