13:13 / E Hënë, 30 Korrik 2018 / indeksADMonline

Lansohet programi për mbështetje financiare në fushën e inovacionit

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë lansuan programin për mbështetje financiare në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë për bizneset e mesme dhe të vogla, përmes të cilit synohet zhvillimi ekonomik në vend nga i cili do të gjenerohen vende të reja pune.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se ky program ka qenë i nevojshëm edhe më përpara si shtysë ndaj sektorit privat në Kosovë, duke përmendur po ashtu kërkesën e bërë nga komiteti i inovacionit të Odës Amerikane për të pasur një qasje dhe vëmendje më të madhe ndaj fushës së inovacionit në Kosovë.

Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, tha se financimi nga ky program synon kryesisht zhvillimin e sektorit privat, duke shtuar se me krijimin e politikave në këtë fushë dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike në vend, ministria që ai drejton po synon rritjen e produktivitetit dhe potencialit të kompanive vendore për të arritur një qasje më të lehtë në tregjet rajonale dhe botërore.

Ai njoftoi të pranishmit se ky program synon të financojë tri nivele të bizneseve sipas standardeve të Kosovës, biznese të mesme, të vogla dhe ato në fushën e inovacionit dhe bizneset startup, të cilat do të financohen nga 10.000-100.000 euro e që përfshijnë sektorë të ndryshëm dhe jo vetëm nga fusha e inovacionit.

Beqaj tha se përmes këtij programi synohet zhvillimi ekonomik në vend nga i cili do të gjenerohen po ashtu edhe vende të reja pune.

Ndryshe, gjatë javës së ardhshme do të publikohet koncept dokumenti për ligjin e inovacionit i cili përfshin bizneset startup, angel investors, dhe inkubatorët, ndërsa përmendi se janë duke punuar në draftimin e strategjisë për Ndërmarrësi dhe Inovacion.