18:46 / E Martë, 20 Tetor 2020 / indeksADMonline

Lansohet projekti që u dedikohet vajzave dhe grave nga komunitetet

Forumi për Lidership dhe Diplomaci me mbështetje financiare të Këshillit të Evropës, ka lansuar Projektin “Akademia-Ngritja e pjesëmarrjes së Grave Rome, Ashkali dhe Egjiptiane në qeverisje dhe ekonomi në Kosovë”, i cili u dedikohet Vajzave dhe Grave nga Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas për t’i fuqizuar me njohuri dhe përgatitur për vendimmarrje.

Drejtorja Ekzekutive e Forumit për Lidership dhe Diplomaci, Njomza Emini, në prezenc të Ambasadores Franceze Marie-Christine Butel, Shefit të Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Frank Power, Deputetit nga Komuniteti Egjiptian Elbert Krasniqi dhe Bujar Kadriu nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, përshëndeti pjesëmarrësit dhe i falënderoi ata për prezencën e tyre në këtë ngjarje shumë domethënëse për këto komunitete.

Ndër të tjera Emini, deklaroi “Puna pa dallim me të gjitha komunitetet është mundësi e mirë për të gjitha gratë dhe vajzat të vazhdojnë tutje dhe të përballen me problemet e përditshme, jo vetëm të përballen por të tejkalojnë këto probleme dhe të arrijnë rezultate të mira duke përmirësuar pozitën e tyre në shoqëri. Këtë edicion u’a dedikojmë vajzave dhe grave nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian që të u’a mundësojmë atyre të përgatiten më mirë për sfidat me të cilat ballafaqohemi cdo ditë në shoqërinë tone”.

Gjithashtu Ambasadorja Franceze Butel dhe Shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, falënderuan Eminin për organizimin, duke deklaruar mbështetje për përmirësimin e kushteve të vajzave dhe grave nga të gjitha komunitetet për pjesëmarrje në vendimmarrje.