19:09 / E Enjte, 03 Mars 2022 / MSH

Lansohet raporti për “Transporti rrugor ndërkombëtar i mallrave në Kosovë”

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare lansoi raportin “Transporti rrugor ndërkombëtar i mallrave në Kosovë” ku u diskutua për sfidat dhe mundësitë e sektorit të transportit në Kosovë.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës z. Liburn Aliu, përfaqësues të Ambasadës Gjermane, përfaqësues të Ambasadës Franceze dhe kompani anëtare të Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Në fjalën e saj hapëse, znj. Nora Hasani Drejtoreshë Menaxhurese e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare theksoi rëndësinë që OEGJK i kushton avancimit të sektorit të transportit. Ministri Aliu përshëndeti punën dhe angazhimin e Odës Ekonomike Gjermano- Kosovare si dhe hartimin e raportit ku theksoi se ky raport do t’i shërbejë edhe ministrisë që ai drejton.

Nga ana tjetër, udhëheqësi i klasterit për Transport dhe Logjistikë në kuadër të OEGJK-së z. Besir Çmega potencoi disa nga barrierat me të cilat përballet ky sektor dhe njëherit në emër të klasterit ofroj mbështetje për politikbërësit e Ministrisë së Mjedisit në hartimin e politikave të reja për këtë sektor.

Naim Huruglica nga kompania Iron Consulting e kontraktuar nga OEGJK për përgatitjen e këtij raporti prezantoi të gjeturat dhe rekomandimet.

Pas prezantimit, kompanitë anëtare të OEGJK-së shfaqën shqetësimin me disa nga barrierat aktuale ligjore dhe rregullative. Pjesëmarrësit u pajtuan që vetëm duke nxitur dhe vazhduar dialogun publiko-privat mund të trasohet suksesshëm rruga në zhvillimin e mëtejmë të sektorit të transportit.

Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare do të vazhdojë të jetë përkrah sektorit biznesor dhe komunitetit investues në vend për të përkrahur dhe për të lehtësuar dialogun institucione-biznese.