75 Mall Live Search
18:13 / E Premte, 12 Dhjetor 2025 / Gj Sh

Laporta, Luis Enrique dhe Valverde në gjykatë, mohojnë lidhjet me çështjen “Negreira”

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, u paraqit sot në gjykatë për të dëshmuar në çështjen e shumëpërfolur Negreira, skandal që ka ngritur akuza ndaj klubit katalanas për korrupsion dhe pagesa të dyshimta ndaj Jose Maria Enriquez Negreira, ish-nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve.

Gjatë dëshmisë së tij, Laporta mohoi kategorikisht çdo lidhje me Negreiran apo rrethin e tij të ngushtë. “Në fakt, unë nuk e njoh as Negreiran dhe as këdo nga rrethi i tij. Nuk kam pasur kurrë asnjë lloj marrëdhënieje me ta. Ne kemi paguar për raporte, në asnjë rast për të favorizuar Barcelonën. Nuk kishim nevojë për favore”, ka thënë Laporta.

Ai shtoi se pagesat ishin trashëguar nga administrata e mëparshme dhe se bazoheshin në këshillën e drejtuesve sportivë të klubit. “I trashëguam ato pagesa. Pyeta drejtuesit sportivë dhe ata na thanë të vazhdonim me raportet. Raportet e fazës së parë nuk i kemi sepse çdo pesë vjet asgjësohen. Kostoja e tyre nuk kishte pse të kalonte në kontrollin e bordit, ishte çështje shume”, deklaroi më tej ai. Edhe ish-trajnerët e Barcelonës, Luis Enrique dhe Ernesto Valverde, dëshmuan përmes lidhjes me video, duke mohuar se kanë qenë të informuar apo të përfshirë në ndonjë marrëdhënie me Negreiran. “Nuk kemi qenë të vetëdijshëm për raportet e arbitrimit nga Negreira”, kanë thënë ish-drejtuesit e stolit katalanas.

Dëshmitë pritet të kenë peshë të madhe në vijimin e procesit gjyqësor, i cili ka tronditur futbollin spanjoll dhe po ndiqet nga afër nga opinioni publik.