17:05 / E Enjte, 30 Korrik 2020 / indeksADMonline

Larg nga bota dhe virusi, Gaza përgatitet për Kurban Bajramin si asnjë vend tjetër

Qytetarët në Gaza po dynden në plazhe dhe markete në parapërgatitjet për të festuar Kurban Bajramin shumë ndryshe nga pjesa tjetër e botës dhe më e rëndësishmja pa masa kufizuese. Por, kjo sjellje e tyre bie në kontrast me mungesën e parave në territorin prej 360 kilometrash katrorë, pasi është izoluar gjerësisht nga pjesa tjetër e botës për shumë vite me radhë nga një bllokadë e Izraelit.

“E gjithë bota thotë se Gaza nuk është një vend për të jetuar, sot mund ta provojë se është. Banorët nuk kanë frikë nga koronavirusi dhe është një jetë totalisht normale”, u shpreh Hani Shamaly, banor i Gazës.

Ky rrip bregdetar mund të preket shumë rëndë nëse do të përhapej virusi pandemik.

“Nëse virusi do të përhapej në një shtet pa masa kufizuese si ky, ne do të shikonim mijëra raste në 24 orë”, tha Abdelnaser Soboh, drejtor i zyrës së OBSH në Gaza.

Asnjë rast nuk është regjistruar deri më tani në qytete dhe kampet e refugjatëve ku qëndrojnë dhe jetojnë 2 milionë palestinezë. Megjithatë 75 të infektuar dhe 1 viktimë janë shënuar në qendrat e karantinës.

Ata që mbërrijnë nga jashtë Gazës, qëndrojnë për 21 ditë në qendrat e ngritura nga Hamas, një grup i armatosur islamik që kontrollon këtë territor prej një dekade, por kufizimet e tjera, si ndalimi i grumbullimeve në masë, janë hequr. Si rezultat, banorët po përgatiten si normalisht për një ndër festat më të rëndësishme të kalendarit të besimit islam. Këto skena as nuk mund të imagjinohen në shtetet e tjera të botës arabe.