Largim nga Barcelona dhe transferim në MLS? – Busquets flet për të ardhmen

Sergio Busquets ka insistuar se nuk ka asgjë konkrete rreth një kalimi në MLS në vitin 2023.
Reprezentuesi spanjoll ka hyrë në vitin e fundit të kontratës së tij me gjigantët katalanas dhe raportohet se ai do të largohet vitin e ardhshëm.
E ardhmja e tij vazhdon të jetë e lidhur me një kalim në MLS të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por Busquetes tha se nuk ka asgjë konkrete rreth kësaj.
“Nuk mund t’ju them asgjë sepse nuk ka asgjë. Nuk ka asgjë pavarësisht thashethemeve që janë shfaqur. Nuk ka asgjë zyrtare. Do të shoh se si do të jem këtë sezon”, tha Busquets për mediat nga grumbullimi i tij me Kombëtaren e Spanjës.
“Dua të kënaqem dhe pastaj do të shoh. Është e qartë që nuk jam 20- vjeç. Apriori është viti i fundit i kontratës sime, por janë zyrtarizuar gjëra që janë false”, shtoi 34-vjeçari.
Kontrata aktuale e Sergio Busquetsit me Barcelonën skadon më 30 qershor 2023.
Kësisoj, ai mund të negociojë me klubet tjera që nga janari i vitit të ardhshëm për arritjen e mundshme të ndonjë para-kontrate.