07:47 / E Martë, 08 Nëntor 2022 / GF

Largimi masiv nga Twitter, Mastodon po rrëmben përdoruesit

Blerja e Twitter nga Elon Musk, ka shkaktuar një kaos të vërtetë në këtë rrjet social.

Kreu i Teslës shkarkoi nga puna mijëra punonjës ndërsa një kompani amerikane e analizimit të të dhënave tregon se platforma mund të ketë humbur të paktën 1 milion përdorues.

Megjithatë duket se kjo situatë ka nxitur platforma të tjera të përfitojnë dhe t’i kthejnë sytë e përdoruesve nga vetja.

Kështu Mastodon, një rrjet i cili reklamon më së shumti mbrojtjen e privatësisë, ka pasur një rritje të ndjeshme këtyre ditëve.

Në pamje të përgjithshme, Mastodon i ngjan Twitter: Përdor hashtaget, i jep përparësi debateve politike dhe sigurisht memeve argëtuese.

Por ndërsa Twitter apo Facebook kontrollohen nga një autoritet brenda kompanisë, Mastodon ka një tipar të veçantë.

Ai është i instaluar në mijëra serverë kompjuterësh, pa një sistem përcaktues apo unik.

Kjo i ka dhënë një dorë të lirë rrjetit social që të qëndrojë larg përdorimit për qëllime politike apo biznesi.