Largimi ose jo i kryetarëve, nesër votohet në katër komunat veriore
Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës: Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq e Zveçan, nesër votohet pro ose kundër largimit të 4 kryetarëve shqiptarë.
Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Veton Elshani sot deklaroi se nuk ka patur informacion për ndonjë problem, por që policia është e përgatitur për çdo rast.
“Nëse do të kemi ndonjë situatë me të cilën duhet të ballafaqohemi, ne jemi të gatshëm. Do të ketë policë shtesë, përveç atyre të parashikuar pranë qendrave të votimit”, tha Elshani.
Disa shkolla në komunat veriore nuk kanë dhënë leje për mbajtje të zgjedhjeve në objektet e tyre, andaj edhe shumica e zgjedhjeve do të mbahen në qendra të improvizuara nëpër kontejnerë, raporton Indeksonline.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në katër komunat veriore, në listën e votuesve janë 46 mijë e 556 njerëz, apo 1 mijë e 461 më shumë krahasuar me zgjedhjet e 23 prillit të vitit 2023.