Largohet nga Kosova grupi i fundit i afganëve nga kampi “Bechtel”

Grupi i fundit i afganëve të mbetur në Kosovë, janë larguar sot nga vendi.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Qytetarët afganë ishin duke u strehuar përkohësisht që nga viti i kaluar në kampin “Bechtel” në Ferizaj.
“Sot përcollëm nga Kosova grupin e fundit të qytetarëve afganë të cilët ishin të akomoduar në kampin “Bechtel” në Ferizaj. Si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si Ministri e Punëve të Brendshme, kemi pranuar të marrim përsipër këtë proces pa asnjë dilemë dhe me përgjegjësi të lartë” ka shkruar Sveçla në Facebook.
Tutje, ai ka thënë se bashkë me aleatët e shtetit, si NATO dhe ShBA, janë angazhuar maksimalisht në plotësimin e kërkesave të të strehuarve.
“Falë bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe aleatët tanë, jemi drejt finalizimit të suksesshëm të këtij procesi. Jemi angazhuar maksimalisht bashkë me partnerët tanë që çdo kërkesë e të strehuarve të plotësohet në afat optimal dhe të sigurojmë mirëqenie e kushte të mira për të gjithë” ka thënë Sveçla.
“Jam shumë i lumtur që si shtet ia dolëm mbanë edhe në këtë proces dhe që të gjithë ata që u strehuan në kampin “Bechtel” në Kosovë po nisin një jetë të re në shtetet mikpritëse” ka përfunduar ministri.