21:45 / E Diele, 29 Prill 2018 / indeksADMonline

“Largohu nga këtu”, policët kapen me lypësen e sëmurë në karrocë me rrota (Video)

Prej disa kohësh tashmë policia bashkiake ka nisur të kapet me shitësit e thjeshtë që shesin rrugëve të Tiranës për të nxjerrë xhiron e ditës e për të mbajtur veten.

Produktet e sekuestruara që mbushin bagazhet e furgonave të policisë konsistojnë që nga perimet, paketat e cigareve dhe arkat me banane e deri tek ato gjëra materiale që kanë vlerë minimale tregu.

Në disa raste të raportuara nga vetë qytetarët, ka gatur edhe shoqërime në komisariat për mosbindje ndaj ligjit të vënë nga bashkia.

Ligj që realisht prek të vobektit dhe ata që të mbushin sytë me mëshirë e keqardhje kur i sheh të keqtrajtohen në atë gjendje në rrugët e kryeqytetit. Me sa duket gjatë darkës, aksioni i “spastrimit’ të bashkiakëve përfshin lypësit dhe personat me aftësi të kufizuar.

Një skenë e shëmtuar dhe prekëse është dëshmuar nga një djalë i ri në zonën e ish Bllokut, ku sipas dëshmitarit, policët tentuan të largonin një grua në karrocë me rrota dhe prisnin përgjigjen e saj. Djali rrëfen se ajo në fakt ishte e sëmurë dhe nuk mund t’u kthente përgjigje, por vazhdonte priste lëmoshë nga kalimtarët.

Djali i cili ka parë skenën e trishtë është shprehur:

“Përshëndetje JOQ, kjo ka ndodhur dje te blloku dhe këta legenat e bashkisë donin ta largonin këtë gruan por kjo ishte e sëmurë dhe priten aty rreth 30 min duke e pritur te largohej. ‘Largohu nga këtu i thonin’, ajo ishte e sëmurë e gjora dhe nuk fliste dot.”