23:11 / E Mërkurë, 15 Maj 2024 / S Z

Latifi: Po punohet për të ngritur standardizimin e shërbimeve kirurgjike

Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, njëherit edhe kryetar i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës, tha se po punohet për të ngritur standardizimin e shërbimeve kirurgjike dhe për të krijuar protokole të trajtimit.

“Ne si pacientë nuk duhet të varemi se çfarë trajtimit marrim, varësisht se kush është kujdestar sonte, nesër ose pasnesër. Neve na duhet që i gjithë trajtimi të jetë i protokolluar dhe të jetë më standarde më të larta”, tha ai në RTK.

Ai ka folur për kursin që po mbajnë për të përgatitur mjekët që do të merren me shërbime që kanë të bëjnë me trauma.

Latifi theksoi se të gjithë kirurgët e Kosovës duhet të marrin certifikata, që në këtë rast merren në çdo katër vite.

Ndryshe Misioni i Kolegjit të Kirurgëve të Kosovës është të bashkojë të gjithë kirurgët dhe specializantët e çdo lëmie kirurgjike, të rrisë qasjen kirurgjike për të gjithë pacientët, duke reduktuar komplikimet, si dhe duke përmirësuar rezultatet dhe duke ulur koston e kujdesit për të gjithë.