75 Mall Live Search
21:53 / E Enjte, 15 Dhjetor 2022 / MSH

Latifi thotë se Rahoveci është harruar nga Qeveria e Kosovës

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka thënë se Rahoveci është harruar nga Qeveria e Kosovës.

Sipas Latifit, në buxhetin e miratuar për vitin 2023, kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të kësaj Komune janë injoruar.

“Në këto rrethana, ku ekzekutivi i Komunës së Rahovecit është vënë me shpatulla pas murit, çdo debat pa përmbajtje dhe që nuk rezulton me investime konkrete, do të jetë i kotë dhe shterp” ka shkruar Latifi në Facebook.

Ky është reagimi i plotë i tij:

RAHOVECI I HARRUAR NGA QEVERIA E KOSOVËS

Edhe pas shumë përpjekjesh dhe debatesh rreth investimeve në infrasktuturën e sportit në komunën e Rahovecit, rezultati është dëshpërues. Në buxhetin e miratuar në Kuvendin e Kosovës për vitin 2023, të propozuar nga Qeveria e Kosovës, kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të komunës së Rahovecit janë injoruar. As edhe një projekt infrastrukturor nuk është përfshirë në këtë buxhet. Debati më intensiv është zhvilluar rreth stadiumit të ri, duke marrë parasysh faktin se tashmë në vendin e stadiumit aktual do të ndërtohet sheshi i qytetit.

Në këto rrethana, ku ekzekutivi i Komunës së Rahovecit është vënë me shpatulla pas murit, çdo debat pa përmbajtje dhe që nuk rezulton me investime konkrete, do të jetë i kotë dhe shterp.

Gjithsesi, asnjëherë nuk do të injorojmë kërkesat për vazhdimin e takimeve e bisedave me autoritetet vendimmarrëse, në këtë rast me MKRS-në, gjithnjë në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit. Bazuar në faktin se ky projekt është i një rëndësie jetike për sportin dhe sportistët tanë, mbetemi të përkushtuar për gjetjen e burimeve për përfundimin me sukses të infrastrukturës së nevojshme për futbollin e Rahovecit.