75 Mall Live Search
13:57 / E Martë, 26 Prill 2022 / OSH

Latifi thotë se Rahoveci ka mungesë të noterëve, kërkon durim nga bujqit

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka shprehur shqetësimin  e tij për mungesë të noterit në këtë komunë.

Ai tha se kjo sjell telashe për bujqit, sidomos tani kur ka filluar aplikimi për pagesa direkte – subvencione për bujqit.

Latifi u bëri thirrje qytetarëve që të kenë durim pasi po mundohen të gjejnë sa më shpejtë një zgjidhje.

Postimi:

REAGIM – MUNGESA E NOTERIT NË RAHOVEC SJELL TELASHE PËR BUJQIT.

Të nderuar qytetarë,

Sot, kur tanimë ka filluar aplikimi për pagesa direkte – subvencione, bujqit e komunës së Rahovecit po përballen me një situatë absurde që ju pamundëson të përfundojnë aplikimin për subvencione.

Deklarata nën betim që është kërkuar nga fermerët si kriter për aplikim, e që aktualisht bëhet përmes zyrës së noterisë në Prizren, ua pamundëson bujqve tanë të kryejnë shërbimet e tyre.

Komuna e Rahovecit, tash e dy vite, nuk ka një zyre të noterisë, e për këtë nga Ministrja Haxhiu, nuk kemi marrë asnjë përgjigje konkrete edhe përkundër adresimit dhe insistimit tonë të vazhdueshëm si komunë, që sa më parë të gjindet një zgjidhje dhe Rahoveci të bëhet me NOTER.

Ne gjindemi në një presion të paimagjinueshëm nga bujqit e komunës sonë, të cilët sot ia kanë mësyrë objektit të Komunës së Rahovecit, për të kërkuar sqarime rreth kësaj çështjeje.

Më lejoni t’ju informoj, se ne jemi duke pritur për t’u sqaruar në tërësi se cilat janë rrethanat lehtësuese për bujqit tanë, në të kundërtën do të insistojmë për një zgjidhje konkrete duke u lejuar atyre qasje për aplikim.

Nuk mund të lejojmë që të aplikohen masa të paaplikueshme, në një komunë që është kryesisht bujqësore, që është krenaria e Republikës së Kosovës, që dikush të merr vendime pa u konsultuar, pa i marrë parasysh, shqetësimet, kërkesat dhe nevojat e bujqve.

Presim nga Ministrja e Drejtësisë znj. Albulena Haxhiu dhe Ministri i Bujqësisë, z.Faton Peci, ta adresojnë me urgjencë këtë çështje dhe të kemi një zgjidhje konkrete, një model të përshtatshëm, ku bujqit mund t’i kryejnë aplikimet pa probleme.

Ndërkaq, bujqve të komunës sonë, ju lutem të bëni durim, ne po mundohemi të gjejmë zgjidhjen më të mirë të mundshme.

Përpjekjet tona janë serioze, qëllimet tona janë mëse të qarta, zgjidhja të gjindet sa më shpejtë që është e mundur, Rahoveci urgjentisht duhet të bëhet me NOTER.