Latifi tregon se kur vjen në Kuvend ligji për transplantimin e organeve

Ligji për transplantim të organeve brenda vitit do të vijë në Kuvendin e Kosovës.
Kështu ka njoftuar ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në seancën e sotme plenare, raporton Indeksonline.
Ai iu përgjigj pyetjes së deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu i cili kërkoi sqarime për këtë ligj.
“Në programin legjislativ nuk figuron fare projektligji për transplantim të organeve. A pritet ta sjellni në kuvend. Në vitet e fundit lista e pritjes së pacientëve është rritur shumë. Siç është rasti për koronografi. Për shkak të pandemisë mund të arsyetojmë një rritje të listës së pritjes për operacione por jo për kontrolle. Cilat janë masat që do i merrni lidhur me raportimet për bordin e ShSKUK-së dhe listat e pritjes”, pyeti Haxhiu.
Ministri Latifi tha se kjo do të bëhet, për shkak se në Kosovë ka një numër të madh të pacientëve që kanë dështim të veshkave e indeve të tjera.
“Sa i përket transplantimit të indeve dhe organeve, unë jam i informuar se ky draft-ligj paska qenë qysh në vitin 2012. Kjo nuk është paraparë vitin e kaluar që të vijë në kuvend, por ne e kemi shtuar këtë dhe do ta sjellim sa më shpejt që të jetë e mundur por gjithsesi këtë vit”, është shprehur Latifi./Indeksonline/