Lavrov e quan “jorealist” mundësinë e takimit Putin-Zelensky

Sipas ministrit të Jashtëm rus Lavrov, një takim i shpejtë midis Putinit dhe Zelenskyt është jorealist.
Një samit i afërt midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, është jorealist për Rusinë.
Sipas Moskës, kushtet e samitit dypalësh nuk janë përmbushur.
“Putin është gati të takohet me Zelenskyn pasi të jetë përgatitur një axhendë për samitin, dhe kjo axhendë është larg të qenit e plotë”, tha ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov për rrjetin televiziv amerikan NBC.
Lavrov tha tani se çështjet që duhet të zgjidhen para një takimi të tillë përfshijnë lëshimet territoriale dhe heqjen dorë nga anëtarësimi i Ukrainës në aleancën ushtarake perëndimore, NATO.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump kishte bërë thirrje për një takim të tillë për t’i dhënë fund luftës agresionale të Rusisë në Ukrainë. Moska deri më tani kishte qenë e paqartë për këtë çështje.
Por edhe Trump i ka shuar shpresat për një takim midis dy presidentëve dhe ka përmendur rishtazi mundësinë e sanksioneve.
Ai do të marrë një vendim të rëndësishëm në lidhje me përpjekjet e tij për të sjellë paqe në Ukrainë brenda dy javësh.
Më parë, në takimin me krerët evropianë në Shtëpinë e Bardhë, Trump ishte shprehur: “Do të shohim nëse Putini dhe Zelensky do të punojnë së bashku. E dini, është pak si vaji dhe uthulla. Ata nuk shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, për arsye që dihen”.