12:09 / E Mërkurë, 04 Korrik 2018 / indeksADMonline

LB jep propozimin për zgjidhjen e çështjes shqiptaro-serbe

Kryetar i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati ka deklaruar se nuk ka zgjidhje të çështjes shqiptaro-serbe pa zgjidhjen e çështjes së Kosovës Lindore.

Sipas tij, nuk ka stabilizim të Kosovës e as Serbisë me privilegje kushtetuese për pakicën serbe, e me injorim të të drejtave të shqiptarëve në Kosovën Lindore.
“Bazë e çfarëdo marrëveshjeje me Serbinë duhet të jetë reciprociteti në të drejta për shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc me ato të serbëve në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok. Dhe ky reciprocitet duhet të çojë në fund në ridefinimin e kufijve në mes të dy shteteve dhe popujve duke u bazuar në parimin e vetëvendosjes së popujve”, ka shkruar ai.

Më tej, Murati shtoi se deri atëherë të gjithë duhet të punojmë që Kosovën Lindore ta kthejmë në kryetemë të ditës. “Shqiptarët në atë pjesë kanë filluar të lëvizin përmes nismës qytetare Lugina do Zgjidhje. T’i përkrahim shqiptarët atje dhe këtë nismë, në mënyrë që ta forcojmë Kosovën”, ka shkruar ai.