75 Mall Live Search
07:58 / E Mërkurë, 20 Gusht 2025 / H F

LBK-ja kërkon nga veprime urgjente nga institucionet: Rrezikohen vendet e punës dhe e ardhmja e “Made in Kosova”

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) ka kërkuar masa urgjente për parandalimin e vendimit të ZRRE-së lidhur me daljen në treg të hapur të bizneseve.

Lidhja e Bizneseve e Kosovës përmes një komunikate për media thotë gjendja e prodhuesve vendorë është bërë tepër e rëndë.

”Disa kompani tashmë kanë filluar të reduktojnë prodhimin dhe çdo zvogëlim i prodhimit nënkupton rrezikim të vendeve të punës, humbje të tregjeve ekzistuese dhe dëmtim të imazhit të produkteve “Made in Kosova”, thuhet në komunikatë.

Sipas LBK-së një situatë e tillë, përveçse shkatërron prodhimin vendor, ndikon drejtpërdrejt edhe në mirëqenien e qytetarëve .

“Mbyllja ose dobësimi i bizneseve prodhuese nuk është vetëm problem i ndërmarrësve, por problem kombëtar që cenon ekonominë e vendit dhe të ardhmen e mijëra familjeve që jetojnë nga puna në sektorin e prodhimit”, thuhet në njoftim.

“Shoqata e Prodhueseve në kuadër të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës është tepër e shqetësuar për këtë gjendje të rëndë me të cilën po përballen prodhuesit tanë. Ne kërkojmë nga institucionet e vendit që të reflektojnë urgjentisht, të ndalojnë presionin e panevojshëm ndaj prodhuesve dhe të marrin masa konkrete për të mbrojtur dhe përkrahur prodhimin vendor, si shtyllën kryesore të zhvillimit ekonomik të Kosovës”, përfunon njoftimi.