75 Mall Live Search
12:59 / E Diele, 06 Korrik 2025 / Gj. Sh

LBK ngre alarmin për gjendjen kritike të kompanive gurthyese dhe të prodhimit të betonit

Lidhja e Bizneseve të Kosovës (LBK) shpreh shqetësim të thellë për gjendjen alarmante në të cilën ndodhet sektori minerar në vend, veçanërisht kompanitë gurthyese dhe ato që operojnë në prodhimin e betonit.

Në komunikatë, LBK vlerëson se pengesat institucionale të shumta po rrezikojnë seriozisht funksionimin dhe ekzistencën e këtyre ndërmarrjeve, të cilat janë të rëndësishme për ekonominë vendore.

Arsyet kryesore të krizës përfshijnë:

  • Mosfunksionimi i bordeve dhe departamenteve përkatëse, që pamundëson lëshimin e lejeve dhe dokumenteve të domosdoshme për operim të ligjshëm.
  • Mungesa e mundësisë për pagesë me këste të rentës minerare, ndryshe nga praktikat lehtësuese në sektorë të tjerë.
  • Mungesa e platformave të përgjithshme elektronike për raportim, që ndikon negativisht në transparencën dhe efikasitetin operacional.
  • Qindra lëndë të bllokuara në Bordin e Minierave, të patrajtuara për muaj të tërë.
  • Zvarritja në miratimin e Udhëzimit Administrativ për qiradhënien e tokave pyjore, e cila pengon shfrytëzimin ligjor të pronave publike.
  • Vonesa të pajustifikuara nga institucionet komunale dhe ato qendrore, si në dhënien e pëlqimeve ashtu edhe në vazhdimin e projekteve ekzistuese.

Situata është kritike

Kompanitë kanë investuar miliona euro në pajisje të rënda, janë të ekspozuara ndaj kredive bankare, dhe shumë prej tyre ndodhen në prag të falimentimit. Çdo vonesë e mëtejshme e thellon krizën, duke rrezikuar:

  • Vendet e punës,
  • Të hyrat buxhetore të shtetit,
  • Stabilitetin e sektorit ndërtimor dhe infrastrukturor në vend.

Nevojitet ndërhyrje urgjente institucionale
për miratim të Udhëzimit Administrativ për Qiranë e Tokave Pyjore që po bllokon mundësinë e rinovimit të licencave për shumë kompani dhe si rezultat po i sjellin drejtë falimentimit.

Pasojat tashmë janë të dukshme:

  • Aktivitetet e prodhimit po pezullohen.
  • Qindra punëtorë po mbesin pa punë.
  • Buxheti i shtetit po humb miliona euro në të hyra tatimore dhe doganore.
  • Investitorët po humbin besimin në funksionimin e shtetit ligjor.
  • Importet nga jashtë po rriten me shpejtësi, duke zëvendësuar prodhimin vendor.

Të dhënat nga Dogana e Kosovës flasin vetë:

Në vetëm 6 muajt e parë të vitit 2025, importi i zhavorrit nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut ka arritur mbi 70 % rritje , krahasuar me vitit 2024 – një rritje alarmante që tregon mungesën e mbrojtjes ndaj prodhuesve vendorë.

Apel urgjent

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ngre alarmin publikisht dhe i bën thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse që të veprojnë pa vonesë, për të ndalur përkeqësimin e mëtejshëm të situatës dhe për të mbrojtur kapacitetet vendore të sektorit minerar – një sektor kyç për zhvillimin ekonomik të vendit”, thuhet në komunikatë.