LDK: 14 ditë nga skandali i punësimeve në KEK, konkursi ende nuk është anuluar

Lidhja Demokratike e Kosovës ka kujtuar se janë bërë dy javë që nga publikimi i listës së të punësuarve në KEK, gjë që e quajti skandal të punësimeve.
Sipas LDK-së, 4500 aplikues nuk kanë gjetur drejtësi, teksa pushteti s’ka shkarkuar asnjë zyrtar “të përfshirë në këtë krim”.
“Të 4500 aplikuesit ende s’kanë gjetur drejtësinë; e pushteti s’ka marrë asnjë masë shkarkimi e suspendimi ndaj zyrtarëve të përfshirë në këtë krim”, thuhet në komunikatën e LDK-së.
Para disa ditësh, LDK dorëzoi në Prokurori edhe kallëzim penal lidhur me këto punësime.
Kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, kishte thënë se aplikimi i kandidadtëve ishte i parendësishëm sepse partia në pushtet [Lëvizja Vetëvendosje] tashmë kishte ndarë vendet e punës për familjarë.
“Plot 4668 qytetarë tanë kanë aplikuar për 128 vende pune në Korporatën Energjetike të Kosovës – pra në KEK. Ky aplikim i tyre nuk kishte fare rëndësi, sepse vendet e punës ishin të parandara për 40 familjarë e 80 militantë partiak të partisë në pushtet”, kishte deklaruar Abdixhiku.