75 Mall Live Search
13:46 / E Shtunë, 09 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

LDK akuza ndaj qeverisë Haradinaj, thotë se i kishte këto dështime

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dërguar komunikatë për media në ditën kur janë bërë 3 muaj që nga koha kur u votua qeveria Haradinaj. LDK ka bërë një analizë që sipas saj kjo qeveri ishte e dështuar duke përmendur disa arsye që sipas LDK ishin dështime. ““Pas negociatave me Radojiçiqa e sekserë të tjerë nga të gjitha anët e Kosovës, Qeveria Haradinaj u konstituua vetëm pasi priti disa orë që t’i vijnë nga Beogradi partnerët e saj dhe që nga ajo ditë, qytetarët e Kosovës kanë përjetuar qeverisjen më jolegjitime, më të dobët dhe më arbitrare, e cila ka degraduar skajshëm çdo pore të jetës institucionale e politike në vend”, thuhet në komunikatë.

LDK përkujton se Kosova ka qeverinë me më së shumti zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra në rajon dhe më gjerë dhe po ashtu ka në realitet 4 “kryeministra” të cilët i udhëheqin ministrat e partive të ndryshme.

Për më tepër, LDK kritikon qeverinë Haradinaj se po drejtohet me logjikën e odave, me sjellje kanunore, duke harruar se në këtë shtet ka Kushtetutë dhe ligj, ndërkohë që qeveria po e shpërdoron buxhetin e shtetit duke shpërndarë arbitrarisht parat e taksapaguesve, duke falur në mënyrë joligjore borxhe për klientele dhe po ndërhyn me vendime në autoritetin e institucioneve të pavarura me Kushtetutë.

Sipas LDK-së, qeveria aktuale është izoluar plotësisht nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët hezitojnë edhe të shfaqen në konferenca mediesh me drejtuesit e saj.

“Qeveria e Kosovës po bën lojëra për konsum politik me çështjen vitale të demarkacionit, duke e vënë në rrezik të ardhmen e qytetarëve, lëvizjen e lirë të tyre dhe partneritetin me SHBA-të dhe vendet tjera mike. Qeveria e Kosovës, ka dështuar plotësisht që ta qojë përpara procesin e transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur. Kabineti i kryeministrit është shndërruar në vend të pritje-përcjelljeve të kota, duke përfshirë pritje për njerëz të inkriminuar”, thuhet më tej në komunikatë.

Kabineti qeveritar sipas LDK-së përbëhet nga njerëz pa kredenciale dhe që nuk e përfaqësojnë asnjë qytetar, ndërsa anëtarë të kësaj Qeverie janë edhe njerëz që akuzohen me fakte nga fqinjët për dhunë gjatë luftës, apo zëvendëskryeministra që gjuajnë me armë zjarri në ambiente publike.

LDK konsideron se vendimet më të mëdha të kësaj qeverie janë emërimet nepotike të dhëndurëve në pozita të larta, si në krye të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe se që nga marrja e mandatit të kësaj qeverie, janë evidentuar dështime me pasoja fatale në shëndetësi.

Për më tepër, LDK ka kritikuar Qeverinë Haradinaj edhe lidhur me buxhetin e propozuar për vitin 2018, i cili sipas kësaj partie ka degraduar dhe e kthen situatën e para vitit 2015, kur ka pasur një planifikim të dobët buxhetor.

Ngecjet, sipas LDK-së, janë evidente edhe në të gjitha fushat tjera që lidhen me qeverisjen qendrore dhe në këtë situatë kjo parti fton qytetarët e vendit të mos e humbin shpresën, por që të bashkuar të rikthejnë vendin në binarët e zhvillimit dhe partneritetin me SHBA dhe BE-në, duke hapur njëherësh perspektivën e zhvillimit ekonomik.