75 Mall Live Search
09:58 / E Mërkurë, 07 Korrik 2021 / OSH

LDK akuzon Qeverinë se po fshehë informacionet për takimet e dialogut në Bruksel

Nënkryetarja e LDK-së, Shqipe Mjekiqi-Sadiku ka thënë se Qeveria Kurti ka zero transparenë para qytetarëve dhe opozitës për agjendën në Bruksel.

Sipas saj, vetëm në media është kuptuar se dje ka patur takim për dialogun në Bruksel.

“Nga mediat mësuam se dje është zhvilluar një takim në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel. Një takim tjetër thuhet se do të ndodhë sot. Çmojmë lartë rolin e mediave për informim, në kohën kur Qeveria e Republikës së Kosovës ka zgjedhur mos-transparencën para qytetarëve dhe injorimin ndaj partive opozitare.

Qeveria e Kosovës deri dje deklaronte që nuk kishte njohuri për procesin e deritanishëm të dialogut dhe që dialogu është një proces i ri. Ndërkaq, dje ajo paska njoftuar BE-në për zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani.

Si duket, Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i dalë zot e vetme këtij procesi. Por, nuk mund të shmangë obligimin për të raportuar para Kuvendit të Kosovës, si para ashtu edhe pas secilit takim që zhvillohet në kuadër të këtij procesi të ndjeshëm.

Për më tepër, deklarimi i djeshëm i z. Lajçak se dialogu mbetet krejtësisht politik është në kundërshtim me tendencën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të rikthyer procesin politik në atë teknik – e që, si duket po e bën vetëm për konsum të brendshëm” shkruan në reagim nënkryetarja e LDK-së./Indeksonline/