13:02 / E Mërkurë, 04 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

LDK: Bisedimet me Vetëvendosjen do të vazhdojnë pa iu nënshtruar presioneve të askujt

Lidhja Demokratike e Kosoves, përmes një komunikate të lëshuar për media, ka deklaruar se ajo ka gatishmërinë për arritjen e një marrëveshjeje me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Lidhja Demokratike e Kosovës është e përkushtuar të respektojë dhe zbatojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit. Në këtë drejtim, ne kemi shprehur vazhdimisht gatishmërinë dhe zotimin tonë të palëkundur në arritjen e një marrëveshjeje bashkëqeverisëse me LVV-në, bazuar në fuqinë politike që u kanë dhënë votuesit dy partive, në frymën e bashkëpunimit drejt mbrojtjes dhe avancimit të interesave shtetërore të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së, diskutimet midis kësaj partie dhe Lëvizjes Vetëvendosje, do të vazhdojnë pa iu nënshtruar presioneve publike.

“Lidhja Demokratike e Kosovës ka punuar dhe është e vullnetshme të arrijë një marrëveshjeje të baraspeshuar, të qëndrueshme dhe afatgjatë. Diskutimet mes dy partive, LDK dhe LVV, do të vazhdojnë në mirëbesim dhe mirëkuptim, pa ju nënshtruar presioneve publike të askujt dhe duke krijuar një ambient të përshtatshëm dhe racional. Synimi ynë i përbashkët është të arrijmë një marrëveshje që ka prioritet vetëm dhe vetëm zotimet tona ndaj qytetarëve të Kosovës për të përmirësuar mirëqenien e tyre”.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, gjegjësisht kryetarët e këtyre dy partive, ditëve të fundit kanë zhvilluar takime të shumëta ndërmjet tyre, të cilat sipas tyre, kishin për qëllim arritjen e një marrëveshje dhe formimin sa më të shpejtë të Qeverisë së re.

Ato, duket se ende nuk kanë gjetur gjuhë të përbashkët, pas kushteve për disa pozita udhëheqëse, si ajo e presidentit dhe kryeparlamentarit. /IndeksOnline/