19:18 / E Martë, 17 Korrik 2018 / indeksADMonline

LDK del me reagim për takimin e nesërm të liderëve në Bruksel

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar sa i përket drejtuesve institucional të cilët do udhëtojnë në Bruksel që të përfaqësojnë Kosovën në dialogun me Serbinë.

Përmes një komunikate për media, LDK ka vlerësuar se drejtuesit aktual institucioneve aktuale dhe individët e tjerë të pushtetit, të cilët pritet të udhëtojnë në Bruksel, nuk kanë autoritet, nuk kanë legjitimitet dhe as mbështetje popullore që ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës në dialogun me Serbinë, transmeton Indeksonline.

Kjo është komunikata e tyre:

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se drejtuesit e institucioneve aktuale dhe individët e tjerë të infiltruar në pushtet për kusure politike, të cilët pritet të udhëtojnë në Bruksel, nuk kanë autoritet, nuk kanë legjitimitet dhe as mbështetje popullore që ta përfaqësojnë Republikën e Kosovës në dialogun me Serbinë.

LDK konsideron se ky grup njerëzish të cilët i lidh vetëm mbetja në pushtet, e të cilët nuk përfaqësojnë më shumë se 40 % të qytetarëve, nuk i bëjnë nder dhe nuk mund të flasin e të marrin vendime në emër të qytetarëve të Kosovës, duke mos pasur mbështetjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës. LDK konsideron se vetëm zgjedhjet e reja nacionale mund të prodhojnë institucione legjitime për të quar përpara të gjitha proceset e rëndësishme për shtetin si dhe për të ndaluar degradimin e plotë institucional, politik e ekonomik që e ka pllakosur Kosovën.

Lidhja Demokratike e Kosovës mbështet procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA për normalizimin e relacioneve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Por, ky proces, mund të qohet përpara vetëm nga institucionet legjitime të dala nga zgjedhjet e reja, të lira dhe demokratike, si dhe me një konsensus të gjerë institucional, politik e shoqëror./Indeksonline.