21:10 / E Hënë, 29 Maj 2023 / AR

LDK dënon sulmet e grupeve kriminale në veri: Të ndalen menjëherë

Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sulmet e grupeve kriminale ndaj forcave të KFOR-it, gazetarëve dhe objekteve të institucioneve të Republikës së Kosovës në veri të vendit.

Sulmet e tilla të dhunshme dhe të paprovokuara nuk kanë vend në shtetet demokratike dhe duhet të ndalen menjëherë.

Veprimet e matura politike janë të domosdoshme për të evituar çfarëdo përshkallëzimi të mëtutjeshëm të situatës e deri në shtensionimin e plotë të gjendjes, teksa institucionet e rendit dhe ligjit të sjellin të gjithë kryerësit e sulmeve të tilla para drejtësisë.

Koordinimi me miqtë tanë ndërkombëtarë është jetik. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të sigurohen që asnjë veprim i mëtutjeshëm të mos bëhet pa koordinim të ngushtë me ta. Çdo moskoordinim mund t’i kushtoj pozicionit tonë politik dhe demokratik për paqe dhe stabilitet brenda dhe jashtë vendit.

LDK u bën thirrje të gjithë gazetarëve për vigjilencë të plotë dhe bashkëveprim në përputhje me të gjitha udhëzimet e forcave të rendit derisa vazhdon t’i përcjellë këto zhvillime me shumë shqetësim.