LDK dhe LVV bisedojnë për koalicion në Junik, marrëveshje s’ka akoma

Kandidati për kryetar të Junikut nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Besart Tofaj, ka bërë të ditur që ka mbajtur takim me përfaqësuesit e LDK-së në Junik, për të biseduar rreth mundësisë së koalicionit në balotazhin për këtë komunë.
Tofaj, përmes një statusi në Facebook, ka deklaruar se ka vullnet për bashkëpunim, por që momentalisht nuk është implementuar akoma një marrëveshje e tillë.
“Sigurisht që implementimi e formalizimi i kësaj marrëveshje do të marrë kahje vetëm pas vlerësimit e miratimit nga organet qëndrore vendimmarrëse të subjektit tonë politik”, ka shkruar ai.
Tofaj, në zgjedhjet e 17 tetorit, ka marrë 12.11% të votave, duke u radhitur si i treti më i votuari në këtë qytet, pas Ruzdhi Shehut të LDK-së (37.87%) dhe Agron Kuçit të PDK-së (47.26%).
Ky është postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë të Junikut,
Me autorizimin e koordinatorit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe grupit punues në Junik, sot pata një takim me përfaqësuesit e subjektit politik të LDK-së dega në Junik.
Në këtë takim u shpreh vullneti për bashkëpunim në balotazh. Pra, për një marrëveshje të mundshme në raundin e dytë të garës për kryetar komune.
Sigurisht që implementimi e formalizimi i kësaj marrëveshje do të marrë kahje vetëm pas vlerësimit e miratimit nga organet qëndrore vendimmarrëse të subjektit tonë politik.
Juniku meriton ndryshimin!