09:21 / E Enjte, 20 Shtator 2018

LDK dhe VV do vazhdojnë t’i bojkotojnë seancat e rregullta të Kuvendit

Megjithëse LDK dhe VV do marrin pjesë në seancën e sotme të jashtëzakonshme të thirrur nga opozita për marrëveshjet ndërkombëtare, këto dy parti nuk do marrin pjesë edhe në pikat tjera të rendit të ditës që pritet të shqyrtohen pas kësaj seance.

LDK dhe VV do vazhdojnë bojkotimin e seancave të rregullta të Kuvendit derisa Kryesia të thërras seancën tjetër të jashtëzakonshme të tyre ku pritet të debatohet lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri në një prononcim për Indeksonline ka thënë se qëndrimi i tyre mbetet i njëjtë dhe se ata do i bojkotojnë seancat e rregullta nëse nuk thirret seanca e jashtëzakonshme.

Ndërsa, ai ka sqaruar se sot do marrin pjesë vetëm në seancën e jashtëzakonshme për marrëveshjet ndërkombëtare, në mënyrë që të mos bëhen pengesë e përfitimit që Kosova mund të ketë nga këto tri marrëveshje.

“Qëndrimi jonë mbetet i njëjtë. Kemi kërkuar si opozitë një seancë të re të jashtëzakonshme për marrëveshjet ndërkombëtare, për arsye që të mos bëhemi pengesë  e përfitimit që Kosova do të ketë nga këto tre marrëveshje.  Ndërkaq insistimi jonë është i njëjtë për seancën e jashtëzakonshme, e cila do të pamundësonte këdo që të shkojë të flas në emër të Kosovës rreth të ashtuquajturit korrigjim të kufijve dhe ne insistojmë që kjo seancë e jashtëzakonshme të mbahet. Thaçi nuk ka mandat që të shkojë të flas në emër të Kosovës për këtë çështje për të cilën po shkon. Nëse nuk mbahet kjo seancë ne do të vazhdojmë të i bojkotojmë seancat e rregullta të Kuvendit”, ka thënë Beqiri.

Sipas tij, kryeparlamentari po keqpërdor pozitën e tij, duke mos thirr seancën e jashtëzakonshme të nënshkruar nga 51 deputetë.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci në një prononcim për Indeksonline ka thënë se pa u lejuar mbajtja e seancës së jashtëzakonshme e cila ia pamundëson Thaçit vazhdimin e bisedimeve në Bruksel, ata nuk do marrin pjesë në pikat e tjera të cilat i sjellë Qeveria.

Sipas saj, si opozitë e kanë parë të arsyeshme të thërrasin seancën e nesërme të jashtëzakonshme e cila do mundësonte aprovimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në mënyrë që të mos bllokohen ato.

Ndërsa, Nagavci beson se bojkotimi i seancave të rregullta dhe presioni i protestave do pamundësojë pjesëmarrjen e Thaçit në këto protesta.

“Vetëvendosje e ka bërë të qartë qëndrimin e saj se pa u lejuar mbajtja e seancës së jashtëzakonshme e cila do pamundësojë Thaçin të vazhdojë bisedimet, ne nuk do të marrim pjesë në pikat tjera që i sjellë qeveria. Duke qenë e qartë se Kuvendi nuk po mund të kryej si duhet rolin e tij për shkak të bojkotit të vet Qeverisë, ne e shohim të domosdoshme organizmin e aktiviteteve tjera, për këtë arsye protesta qytetare dhe bojkoti në Kuvend besojmë se do pamundësojnë Thaçin në këto bisedime, në mënyrë se si ai po udhëheqë”, ka thënë Nagavci.

Ndryshe, në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për sot,  në rend dite do të jenë pikat:

  1. Votimi i Projektligjit nr. 06/L-090 për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare për IPA 2017, pjesa e parë, ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian,
  2. Votimi i Projektligjit nr. 06/L-094 për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët”,
  3. Votimi i Projektligjit nr. 06/L-095 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Komisionit Evropian dhe Kosovës mbi pjesëmarrjen e Kosovës në “ERASMUS +” Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport,
  4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.06/L-099 për aderimin e Kosovës në Marrëveshjen për themelimin e Shkollës Rajonale të Administratës Publike (ReSPA).

Ndërsa, pas përfundimit të kësaj seance, Kuvendi do të vazhdojë punimet me pikat e mbetura nga seanca e datës 14 shtator, e cila në rend dite ka 26 pika./Indeksonline/