LDK dhe VV prishin koalicion në Vushtrri, Tahiri pritet t’i shkarkojë drejtorët e VV-së

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilat kanë udhëhequr së bashku Komunën e Vushtrrisë, sot kanë prishur koalicionin.
Kështu ka thënë për IndeksOnline, kryetari i komunës, Xhafer Tahiri, i cili tha se VV-ja nuk e ka votuar dje Programin për rimëkëmbje ekonomike të Vushtrrisë.
“Në fakt dje LVV-ja në Vushtrri nuk e ka përkrahur planin e Rimëkëmbjes ekonomike të Vushtrrisë. Ky një plan i hartuar për të dalë nga kriza, një prej planeve më të rëndësishme edhe për një koncept ndryshe, se si do të duhej të dukej politika lokale në Vushtrri për 10 vjetët e ardhshëm. Për këtë arsye unë dje i kam bërë të ditur nënkryetarit të komunës dhe kryetarit të degës që unë në këtë mënyrë nuk mund ta vazhdoj koalicionin”, tha ai.
Tahiri tha se sot do t’i liroj nga detyra të gjithë bartësit e funksioneve publike në Komunën e Vushtrrisë e që i përkasin VV-së.
“Natyrisht që sot do të liroj nga detyra të gjithë bartësit e funksioneve publike në Komunën e Vushtrrisë. Tashmë edhe i kam liruar nga detyra”, ka deklaruar ai.
Ndryshe për këtë kryetari Tahiri do të mbajë një konferencë shtypi në orën 11:00./IndeksOnline/