20:09 / E Martë, 07 Nëntor 2017 / indeksADMonline

LDK e pavendosur për balotazhin në Mitrovicë

Kanë mbetur edhe 12 ditë deri në mbajtjen e zgjedhjeve në komunat të cilat kanë shkuar në balotazh.

Sa i përket koalicioneve për balotazh, deri më tash fare pak janë bërë publike.

Sa i përket Mitrovicës, zyrtarisht deri më tani dihet vetëm koalicioni mes Aleancës Kosova e Re me Nisma për Kosovën.

Mirëpo, Lidhja Demokratike e Kosovës e cila ka dalë e treta sipas votave në këtë komunë po preferon të mbetet neutrale sa i përket mbështetjes për balotazh.

Kandidati i saj për kryetar të Mitrovicës, Safet Kamberi në një prononcim për Indeksonline ka thënë se partia e tij ka pasur ftesa për bisedime nga të dyja partitë që garojnë për balotazh, mirëpo i njëjti interes nuk ka qenë nga vet LDK.

“Unë dhe LDK dega në Mitrovicë deri më tani nuk kemi shprehë ndonjë interesim për bisedim me ndonjërën nga partitë në balotazh edhe pse kemi pas interesim nga dy kampet”, ka thënë Kamberi.

Sipas tij, për momentin ata preferojnë të mbesin neutral sa i përket mbështetjeve eventuale.

“Për momentin LDK nuk ka ndonjë qëndrim të ri për këtë çështje. Për momentin preferenca jonë është të mbesim neutral për sa i përket mbështetjeve eventuale”, ka shtuar më tej ai.

Ndryshe, në zgjedhjet e balotazhit që do mbahen me 19 nëntor, do të përballen kandidatja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Valdete Idrizi me Agim Bahtirin nga Aleanca Kosova e Re./Indeksonline/