75 Mall Live Search
20:15 / E Shtunë, 01 Shtator 2018 / indeksADMonline

LDK i përgjigjet Thaçit, pasi ky i fundit tha se Mustafa po don luftë!

Deklarata e Presidentit të vendit, Hashim Thaçit sa i përket korrigjimit apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe  Serbisë, ka ngjallur reagime të shumta në vend. Së fundi, i pari i shtetit, për kundërshtimet e opozitës ndaj  ides së tij ka thënë se ata janë të interesuar që t’ia fillojnë luftës, duke aloduar kështu te lideri i VV-së, Albin Kurti dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa.

Sipas Thaçit, lufta ka përfunduar dhe Kosova ka fituar këtë luftë.

Për deklaratën e kreut të shtetit, ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës.  Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Ismet Beqiri ka thënë për Indeksonline se Thaçi po vazhdon të jetë në panik, konfuz, përqarës, i vetmuar dhe pa përkrahje të askujt.

Kësisoj, Beqiri deklaratën e Thaçit se lideri i tyre po dëshiron luftë e ka quajtur qesharake.

Sipas tij, nëse dikush po dëshiron probleme, çrregullime kundër bashkësisë ndërkombëtare, po krijon shqetësime ,tensione, po shkel Kushtetutën e vendit, po punon kundër vendit, sovranitetit dhe integritetit te Kosovës, ai është Hashim Thaqi, askush tjetër.

“Po ua rikujtojë veprimet e tij(atëherë i ndihmuar edhe nga Kryeministri dhe Kryetari Kuvendit)rreth çështjes së ushtrisë Kosovës ,Gjykatës Speciale etj, thjeshtë na konfrontoi me gjithë miqtë tonë ndërkombëtar, fatbardhësisht dështoi, edhe tani do të dështoj. Qesharake është me thënë Isa Mustafa, opozita po dëshiron luftë, ne po dëshirojmë me mbrojte Integritetin dhe Sovranitetin e Kosovës, të cenuar nga ai”, është shprehur Beqiri për “ Indeksonline”.

Më tej, deputeti i LDK-së ka folur edhe për seancën e jashtëzakonshme që pritet të mbahet me 4 shtator në Kuvendin e Republikës. Ai thotë se në këtë seancë është një rezolutë për mbrojtjen e kufijve të vendit.

“Seanca presim të mbahet më 4 shtator. Nuk ka asnjë arsye që të mos e përkrahin të gjitha partitë Parlamentare  ( kuptohet veç listës serbe)një Rezolutë të shkurtë dhe të qartë, qe do të jetë në mbrojtje të Sovranitetit, Integritetit, kufijve te Kosovës, Kushtetutës së Kosovës. Askush, asnjë zyrtar i Kosovës as tani as në ardhmen nuk ka të drejtë të flas dhe punoj për copëtimin, ndarjen e Kosovës. Këtë qëndrim ka LDK-ja”, thotë ai.

Më tutje, ai ka shtuar se LDK në strukturat(forumet)e saja merr vendime për qëndrimet, veprimet, sjelljet e saja.

Në fund, Beqiri ka thënë disa fjalë edhe për Kryetarin e Kuvendit  njëherësh kreut të PDK-së, Kadri Veselit.

“Ai është jo i sinqertë dhe me vonesë në deklarimet e tij. Ai ka problem me shefin apo ,,ish shefin e tij, Hashim Thaqi”, ka përfunduar Beqiri.

Ndryshe,  Kryesia e Kuvendit do të mblidhet të hënën ( 3 shtator) në ora 8:00. Në njoftimin e legjislativit, është bërë  e ditur se pikë e rendit të ditës është kërkesa për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme.

“Kërkesa për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme me pikën e rendit të ditës: Debat parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thuhej në njoftim./Indeksonline/