14:35 / E Hënë, 29 Gusht 2022 / B O

LDK i propozon Qeverisë 10 pika për të shpëtuar nga kriza energjetike

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka propozuar Qeverisë së Kosovës që të pranojë planin e tyre prej dhjetë pikave, në mënyrë që sipas tyre, qytetarët të shpëtohen nga katastrofa energjetike.

Përmes një komunikate për media, LDK ka thënë se kriza energjetike në vend është duke u thelluar, andaj edhe po i bëjnë thirrje të vazhdueshme Qeverisë që të pranojë planin e tyre për të përballuar krizën energjetike që ka kapluar vendin.

“Si pasojë e keqmenaxhimit të Qeverisë po bien edhe blloqet e KEK-ut në mënyrë të vazhdueshme, me ç’rast po bie edhe mirëqenia e qytetarëve deri në limitet e mbijetesës. Ende pa u rregulluar Blloku A5, bie Blloku A3, duke bërë kështu që KEK-u të mos prodhojë as gjysmën e kapacitetit të tij, ku 530 MWh janë jashtë prodhimit. Në këtë kontekst, i bëjmë thirrje Qeverisë që të pranoj planin tonë dhjetëpikësh dhe t’i shpëtoj qytetarët, sepse me qasjen e saj të deritanishme po e shpien vendin drejt katastrofës energjetike”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Nga kjo parti kanë thënë se bazuar në paaftësinë që ka dëshmuar kjo Qeveri, pritet të zgjatet edhe orari i reduktimeve.

“Mos të harrojmë se këto reduktime të energjisë elektrike po ndodhin në pikë të verës, gjersa ditët më të ftohta po vijnë. Ndërkaq, bazuar në paaftësinë e dëshmuar të kësaj Qeverie, pritet të zgjatet edhe orari i reduktimeve. Ka kaluar më shumë se një vit nga kriza energjetike, ndërsa Qeveria kishte kohë të mjaftueshme të përgatitej që dimri që po vjen të jetë më lehtë i përballueshëm për qytetarët, mirëpo ajo dështoi në ditët më të nxehta të vitit – ditët e verës, ku konsumi i energjisë është më i ulët”, thuhet në komunikatë.

Më poshtë gjeni 10 pikat e propozuara nga LDK:

I. Pagesa e menjëhershme e subvencioneve të premtuara prej 90 milion euro për çmimin e energjisë elektrike.

Riparimi i Bllokut A5 i Termocentralit Kosova A.
III. Krijimi i mekanizmave për furnizim me burime alternative për ngrohje me çmime të përballueshme për qytetarët.

Përgatitja e planit të efiçiencës dhe kursimit të energjisë.
Negocimi i kontratave afatgjate për furnizim me energji.
Zbritja e TVSH-së nga 8% në 0% për faturat e energjisë.
VII. Krijimi i subvencioneve të reja për qytetarët dhe bizneset.

VIII. Largimi i tarifave diskriminuese të ZRrE-së.

Themelimi i bursës së përbashkët për energji Kosovë-Shqipëri.
Përgatitja e Strategjisë afatmesme për rritjen e kapaciteteve gjeneruese me gaz dhe energji alternative.