75 Mall Live Search
21:39 / E Martë, 28 Maj 2024 / MSH

LDK-ja merr vendimin final për zgjedhje, ja temat kryesore që sot u vendosën në mbledhjen e thirrur nga Abdixhiku

Me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetëror, sot u mbajt mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në takim morën pjesë kryesia e partisë, përfshirë kryetarin Lumir Abdixhiku, anëtarë të partisë, kryetarë të degëve të LDK-së, e kështu me radhë.

Ndër temat kryesore që u diskutuan në këtë takim, ishte edhe çështja e zgjedhjeve qendrore.

Me këtë rast, LDK-ja u pajtua njëzëri se vendi duhet të shkojë në zgjedhje nëse kryeministri Albin Kurti jep dorëheqje.

“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe kjo e ardhme sot duket e zymtë, e pa perspektivë. Tash e tri vite për popullin është e mjaftueshme për të parë paaftësinë e këtij pushteti. Kjo Qeveri nuk ka lënë asnjë shenjë në asnjë fushë. Është moment reflektimi. Ky moment thërret për përgjegjësi, duhet dorëheqje. LDK refuzon farsën e darkave, LDK është e gatshëm dhe kërkojmë dorëheqje të qeverisë. Fillimisht dorëheqja e pastaj shpërbërje”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Burime të Indeksonline pohojnë se në takim u shtjelluan edhe tema të tjera me rëndësi.

Së pari u caktua numri i kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e brendshme për degët e partisë gjithandej vendit dhe jo vetëm.

Më pas, u diskutuan edhe emrat potencial për kandidaturë në zgjedhjet e ardhshme, përfshirë deputetët të cilët janë të përzgjedhur në këtë legjislaturë.

Listës së kandidatëve për deputetë të LDK-së  iu shtuan edhe disa kryetarë degësh, si dhe kryetarë komunash, përfshirë kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxheri, atë të Lipjanit, Imri Ahmeti, si dhe kryetarin e Fushë Kosovës, Burim Berisha.

Kjo ishte mbledhja e dytë e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, teksa pritet që së shpejti partia e dytë më e madhe opozitare në vend të dalë edhe me njoftim zyrtar mbi ecurinë e këtij takimi./Indeksonline/