LDK-ja prezanton Driton Selmanaj kandidat për të parin e Prizrenit

Driton Selmanaj do të jetë kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për qytetin e Prizrenit në zgjedhjet lokale që do të mbahet më 12 tetor.
Ai sot është prezantuar nga ky subjekt në oborrin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në zyrtarizimin e kandidaturës së tij i pranishëm ishte edhe lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Abdixhiku theksoi se Dritoni vjen në këtë garë me përgatitje profesionale dhe me gatishmëri të plotë për të hapur një faqe të re në Prizren.

Postimi i plotë:
Sonte u mbledhëm në një nga qytetet më të bukura të Kosovës, në njërin ndër më të vjetrit, më të pasurit dhe më të dashurit. Ishim në Prizren – në kryeqytetin e shpirtit tonë historik, në vendin ku është rrahur zemra e identitetit tonë kombëtar, në vendin ku është thurur Lidhja që i dha popullit tonë shpresë e rrugë drejt lirisë.
Aty zyrtarizuam kandidatin tonë për zgjedhjet e ardhshme lokale, Driton Selmanajn.
Dritoni vjen në këtë garë me përgatitje profesionale dhe me gatishmëri të plotë për të hapur një faqe të re në Prizren. Një faqe ku përparësitë nuk janë ndarjer partiake, por nevojat e qytetarëve. Ku prioritet nuk është retorika, por zhvillimi – i vërtetë, i matur, i planifikuar. Sepse qyteti ka nevojë për të rindërtuar besimin me qytetarët. Ka nevojë për shërbime publike më të mira, për infrastrukturë moderne, për investime në arsim, në kulturë, në turizëm, në teknologji. Ka nevojë për planifikim urban që mbron trashëgiminë, por hap rrugë për të ardhmen. Ka nevojë për investime në rininë e këtij qyteti – për të cilën LDK ka një plan të qartë: të ofrojë mundësi, të ndërtojë institucione, të hapë vende pune, të krijojë hapësira kulturore.
Dhe në këtë betejë, Driton Selmanaj është i gatshëm. Ai e kupton që Prizreni nuk është një qytet që kërkon spektakël – por një qytet që kërkon përkushtim. Dhe këtë ai është gati ta japë.
Na prifte e mbara.