75 Mall Live Search
18:29 / E Premte, 24 Tetor 2025 / MSH

LDK-ja reagon mbi incidentin e Armend Zemajt

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas një incidenti të ndodhur sot gjatë një interviste, ku deputeti i kësaj partie, Armend Zemaj, është përballur me ofendime verbale, të cilit i është përgjigjur me sulm fizik.

Në komunikatën zyrtare, LDK-ja e cilëson ngjarjen si “akt të papranueshëm” dhe “cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit dhe të integritetit të institucioneve demokratike të vendit”.

“Sulmet, qoftë verbale apo fizike, ndaj përfaqësuesve të popullit dhe zyrtarëve të LDK-së, përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit institucional dhe të kulturës demokratike mbi të cilën ndërtohet shteti ynë”, thuhet në reagimin e partisë.

LDK thekson se mendimi ndryshe është vlerë themelore e demokracisë, por shprehja e tij kurrë nuk mund të kalojë në fyerje apo dhunë.

Ky është reagimi i plotë i partisë:

Lidhja Demokratike e Kosovës dënon ashpër sulmin e papranueshëm të ndodhur sot gjatë një interviste publike, ku deputeti i LDK-së, z. Armend Zemaj, jo vetëm që është ofenduar dhe provokuar verbalisht, por edhe është përballur me sulm fizik ndaj tij. Ky akt është i papranueshëm dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit e të LDK-së dhe ndaj vetë integritetit të institucioneve demokratike të vendit.

Sulmet, qoftë verbale apo fizike, ndaj përfaqësuesve të popullit dhe zyrtarëve të LDK-së, përbëjnë cenim të drejtpërdrejtë të dinjitetit institucional dhe të kulturës demokratike mbi të cilën ndërtohet shteti ynë. Mendimi ndryshe është vlerë themelore e demokracisë, por shprehja e tij kurrë nuk mund të kalojë në fyerje apo dhunë.

Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh solidaritet të plotë me deputetin Armend Zemaj dhe fton organet e rendit dhe ligjit të sqarojnë me përgjegjësi rrethanat e sulmit.

Për LDK-në, respekti ndaj institucioneve dhe përfaqësuesve të tyre është respekt ndaj vetë shtetit dhe ndaj rendit demokratik. Kultura e debatit, e respektit dhe e dinjitetit duhet të mbizotërojë në jetën publike, si garanci e paqes shoqërore dhe e funksionimit demokratik të shoqërisë sonë.