LDK-ja voton pro Abdixhikut, kryetari flet për ringritje dhe bashkim
Delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë votuar pro qëndrimit të Lumir Abdixhikut si kryetar i partisë, në një proces që u zhvillua përmes votimit të fshehtë.
Pas vendimit, Abdixhiku reagoi përmes një postimi, duke e cilësuar procesin si shprehje të “demokracisë maksimale” dhe si dëshmi se vota e lirë mbetet themeli i besimit brenda LDK-së.
Ai theksoi se vendimi i delegatëve u mor pa frikë dhe pa imponim, duke respektuar secilin votues dhe lirinë e mendimit.
“Sot nuk kemi arsye për triumf, por për vetëdije”, ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se LDK-ja duhet të vazhdojë me maturi, bashkim dhe përulësi në përballjen me sfidat e ardhshme.
Kryetari i LDK-së ka theksuar se partia ka përpara misionin e ringritjes dhe se besimi i dhënë nga delegatët përbën një përgjegjësi të madhe për të ecur përpara “si të vërtetë”.
Ky është postimi i plotë i tij:
Demokraci maksimale!
Jo si fjalë e madhe, por si akt përgjegjësie. Si provë se vota e lirë është themeli mbi të cilin ndërtohet besimi. Votë e fshehtë, vendim i lirë, respekt për secilin delegat; kjo është mënyra jonë e të qenit politikë, pa frikë dhe pa imponim, me bindjen se liria e mendimit është pasuria më e madhe e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sot nuk kemi arsye për triumf, por për vetëdije. Krenarë për standardin që ruajtëm dhe për vlerën që përfaqësojmë.
Tani na duhet maturi. Bashkim jo nga nevoja, por nga bindja. Dëgjim jo për formë, por për kuptim. Punë e madhe, e përbashkët, me përulësinë që e ka mbajtur gjithmonë LDK-në në këmbë në momentet më të vështira të saj.
Tani kemi misionin e ringritjes përpara.Faleminderit secilit për besimin.
Kjo përgjegjësi na obligon të ecim si të vërtetë!

