LDK jep detaje për takimin Mustafa-Kurti, bën të ditura të gjitha temat e diskutuara
Indeksonline raportoi sot në mëngjes për takimin e kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa me atë të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
LDK përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se dy liderët e partive opozitare në Kosovë, diskutuan për organizimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së koalicionit PAN, transmeton Indeksonline.
“LDK, në nëntor të vitit të kaluar, kishte aprovuar Platformën Zgjedhore duke konstatuar se institucionet e dala nga zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 nuk po e bëjnë punën e tyre në interes të vendit dhe të forcimit e të konsolidimit të shtetit të Kosovës, se Kuvendi i Republikës së Kosovës është bërë jofunksional dhe se Qeveria e koalicionit qeverisës nuk përfaqëson shumicën në Kuvend.
Rrjedhimisht, LDK vlerësoi se vendi duhet të shkojë në zgjedhje përmes votës së mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale ose përmes shpërndarjes së Kuvendit duke kërkuar nga të gjitha organet e LDK-së angazhim të plotë dhe të gjithanshëm për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme”, thuhet në njoftim.
Mustafa dhe Kurti vlerësuan se edhe përkundër faktit që grupet parlamentare të LDK-së dhe të LVV-së bashkërenditën aktivitetin opozitar kundër qeverisjes së dëmshme dhe një mori skandaleve të kësaj qeverie dhe të këtij koalicioni, situata në Kosovë po përkeqësohet.
“Korrupsioni i lartë, papunësia, nepotizmi dhe ikja e njerëzve nga Kosova janë dëshmitë më të mira se vendit i nevojitet qeveri e re e përgjegjshme. Në ditët në vijim, grupet parlamentare do të veprojnë në organizimin e mocionit”, thuhet në fund të njoftimit. /Indeksonline/
