10:48 / E Enjte, 30 Nëntor 2017 / indeksADMonline

LDK kërkon anulimin e votave me postë dhe jo shkuarje në rivotim

I pari i LDK-së, Isa Mustafa në një deklaratë për media ka deklaruar se nuk duan që të shkohet në rivotim të plotë në komunën e Istogut por që të anulohen votat me postë.

“Kandidati i LDK-së, Haki Rugova ka arritur të fitojë në Istog me vota legale, me votat e qytetarëve të Istog dhe sot jemi këtu me të  për të dëshmuar se është tentuar të kontestohet dhe të vihet në sprove fitorja et ij me vota të kriminalizuara të cilat persona të kriminalizuar në mënyrë të kriminalizuar kanë mbushur zarfat në Mal të Zi, Slloveni e Vjenë, për kandidatin e AAK-së, Gani Dreshaj”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij është konstatuar se këto vota nuk janë të diasporës siç është shprehur Dreshaj, sepse sipas Mustafës, diasporën nuk e përbëjnë vetëm malazezët, boshnjakët por të tjerë.

“Ne e dimë ku janë të shtrirë bashkëqytetarët tanë, ne kemi dhënë ankesën në PZAP lidhur me keqpërdorimet të cilat kanë ndodhur në Istog, në raundin e dytë.

PZAP e ka pranuar dhe ka konsideruar me bazë ankesën tonë dhe ne këtë kanë anuluar procesin dhe nuk i ka anuluar vetëm votat me postë por ka kërkuar që të bëhet rivotim në komunën e Istogut.

Konsiderojmë që qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre, sepse në shumicë kanë votuar për Rugovën.

Nuk duhet qytetarë të paguajnë çmimin e kandidat të AAK-së , me importimin e votave nga jashtë Kosovës.

Ne e vlerësojmë punën që ka bërë PZAP, sepse ka vërtetuar të gjitha rastet ku jemi ankuar, do të thotë se ka bërë punë të konsideruar”, ka thënë Mustafa, transmeton Indeksonline.

Sipas tij duhet të bëhet ndryshimi i vendimit kështu duke kërkuar nga Gjykata Supreme që të ndryshojë vendimin dhe në vend që të shkohet në rinumërim të plotë, në Istog të anulohet pjesa e votave që kanë ardhur me postë, e që sipas tij janë vota të njerëzve që nuk ishin pjesë e Istogut.

“Konsiderojmë se nuk duhet t’i mundojmë qytetarët edhe njëherë në kutitë e votimeve.

Fakti që ne kërkojmë të bëhet anulimi i votave me postë dhe të mos shkohet në rivotim nuk do të thotë se frikësohemi nga rivotimi sepse jemi të bindur se si ka fituar Rugova në raundin e parë me shumicë dhe në raundin e dytë do të fitojë përsëri.

Ne brengosemi për qytetarët, dhe këtë rast kanë bërë gabim ata që kanë importuar vota nga jashtë, prandaj ne duhet të japim përgjegjësi dhe jo qytetarët e Istogut”, ka përfunduar Mustafa./Indeksonline/