LDK kërkon nga Kurti ta heq taksën plotësisht: E ke mbështetjen tonë

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në mënyrë publike ka kërkuar nga kryeministri i vendit, Albin Kurti që të heq plotësisht taksën 100 % ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Gashi në fjalimin e tij në foltoren e Kuvendit ka thënë se për të marrë një vendim të tillë, Kurti do të ketë edhe mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Tarifa duhet të hiqet dhe për këtë dakordohemi të gjithë. Edhe AAK që është kundër, do të në bashkohet në unifikimin e qëndrimit përballë Serbisë. Kërkojmë sa më parë që kryeministri Kurti ta heq tarifën e plotë sa më parë. Ka mbështetjen e plotë të LDK-së”, deklaroi Gashi.
Deputeti Gashi i tha Kurtit se askush nuk do ta konsiderojë si frikacak për nënshtrim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Shumica janë për heqjen taksës. Z.Kurti, heqja e plotë e tarifës nuk është në kundërshtim me popullin. Njerëzit do të na gjykojnë një ditë nëse ftohim raportet me Amerikën”, ka thënë tutje Gashi.
Ai ka bërë thirrje edhe për lënie anash të inateve dhe për unitet të plotë politik në vend./Indeksonline/