19:38 / E Mërkurë, 20 Shkurt 2019 / k.v

LDK komenton idenë për qeverinë gjithëpërfshirëse

Kohëve të fundit janë shtuar dukshëm zërat për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, derisa si opsion është përmendur edhe krijimi i një qeverie gjithëpërfshirëse.

Kjo ide fillimisht erdhi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila pranoi të hyj në Qeveri, vetëm me një kusht, nëse ajo bëhet gjithëpërfshirëse, shkruan Indeksonline.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë në një prononcim për Indeksonline se jo të gjitha partitë në vend, janë të gatshme për të ndërmarr një hap të tillë.

“Qeveria gjithëpërfshirëse nënkupton përfshirjen e të gjitha partive parlamentare në Kosovë; lënien e anash të asnjëres. Një gatishmëri e tillë nga të gjitha partitë nuk duket se është evidente”, ka theksuar Abdixhiku.

Sipas tij, meqë nuk po gjendet një gjuhë e përbashkët për opsionin e parë, partive u mbetet vetëm një alternativë tjetër.

“Së këndejmi, zgjedhjet e reja parlamentare dhe legjitimiteti institucional mbeten alternativa e vetme”, ka thënë tutje Abdixhiku.

Analisti politik, Ramush Tahiri vlerëson se nëse LDK e ka seriozisht me këtë ide, atëherë ka votat e mjaftueshme në Kuvend.

Sipas Tahirit, po që se LDK bëhet unike në këtë drejtim, atëherë vendi nuk ka nevojë të shkoj në zgjedhje të reja parlamentare.

“Nëse LDK e ka seriozisht dhe nëse për këtë janë unik të gjithë deputetët e LDK-së, atëherë Qeveria e spektrit të gjerë më një kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike i ka votat e mjaftueshme në Kuvend dhe atëherë vendi nuk detyrohet me shku në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare”, ka përfunduar politologu Tahiri.

Kujtojmë se përfaqësues të LDK-së janë shprehur të gatshëm të shkojnë drejt një Qeverie gjithëpërfshirëse derisa të mbyllet dialogu me Serbinë, pasi që edhe nuk ka kohë të mjaftueshme për organizimin e zgjedhjeve të reja.

Në LDK kanë thënë se disa herë është diskutuar për këtë mundësi, e cila po shihet si mundësi e duhur që shërben në interes të vendit./Indeksonline/