20:21 / E Premte, 01 Maj 2020 / indeksADMonline

LDK mbetet e vendosur që, në përputhshmëri të plotë me normën kushtetuese, të krijojë Qeverinë e re

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një postimi të bërë në faqen zyrtare ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e dekretit të Presidentit për formimin e qeverisë.

Në këtë shkresë LDK thotë se shprehet e vendosur që, si edhe deri më tani, të respektojë në tërësi këtë vendim.

Ky është njoftimi i plotë:

Pas vendimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pezullimin e Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës lidhur me caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë së Kosovës, deri më 29 maj, Lidhja Demokratike e Kosovës shprehet e vendosur që, si edhe deri më tani, të respektojë në tërësi këtë vendim.

LDK-ja, me anë të marrëveshjeve politike, ka arritur të sigurojë shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë së re.

LDK-ja mbetet e vendosur që, në përputhshmëri të plotë me normën kushtetuese, të krijojë Qeverinë e re.

LDK-ja dhe partnerët dje kanë dorëzuar kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, të mbështetur nga 61 deputetë, sencë e cila do të mbahet pas vendimit final të Gjykatës Kushtetuese, meqë LDK-ja është e bindur se procesi i mandatimit të z. Avdullah Hoti është bërë konform normës kushtetuese dhe kompetencave kushtetuese që ka Presidenti i Kosovës.