75 Mall Live Search
18:38 / E Mërkurë, 07 Gusht 2019 / indeksADMonline

LDK mobilizohet për zgjedhjet: PAN e ka keqqeverisur vendin, do të dalim parti e parë!

Nën udhëheqjen e kryetarit të LDK-së, njëherësh edhe kryetar i Këshillit të Përgjithshëm, Isa Mustafa, sot u mbajt mbledhja konstituive e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, i cili është organi më i lartë i partisë, në mes të dy Kuvendeve Zgjedhore.

Kjo mbledhje e Këshillit të Përgjithshëm sipas njoftimit të LDK-së thuhet se reflektoi unitetin e arritur në Kuvendin IX Zgjedhor të LDK-së, unitet që përçon frymën e fitores së madhe të LDK-së në zgjedhjet e përgjithshme.

“Këshilli i Përgjithshëm diskutoi lidhur me organizmin e të gjitha strukturave të LDK-së, në të gjitha nivelet, për të rritur edhe më tej përkrahjen qytetare për LDK-në si partia më e madhe në vend.

Po ashtu, Këshilli i Përgjithshëm diskutoi edhe lidhur me politikat themelore dhe çështjet që do të përmbajë Programi qeverisës i LDK-së, i cili do të jetë edhe Program i Qeverisë së re të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu në mbledhje u fol edhe për koalicionin PAN që sipas tyre e kanë keqqeverisur vendin dhe e kanë dëmtuara atë.

“Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së vlerësoi se koalicioni PAN e ka keqqeverisur vendin, ka dëmtuar raportet me partnerët strategjikë të vendit, i ka lënë të izoluar qytetarët e Kosovës. Përballë kësaj situate tepër të rëndë, LDK-ja do të ndërmarrë hapa për të garantuar pozicionin e saj si parti e parë dhe që Qeveria e re të punojë në interes të vendit, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të zhbllokojë procesin e integrimit euro-atlantik, si dhe të kthejë shpresën e qytetarëve të Kosovës”./Indeksonline/