75 Mall Live Search
21:54 / E Premte, 14 Janar 2022 / MSH

LDK në Vushtrri përjashton nga dega tre anëtarë!

Tre anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës janë përjashtuar sot nga çdo funksion i partisë.

Sipas LDK-së, kjo është bërë për shkak të “tradhëtisë” së këtyre tre personave kundrejt partisë.

Në një mbledhje të kryesisë së partisë, sot është vendosur që Agron Perçuku, Alban Bajrami dhe Behar Duraku të shkarkohen nga të gjitha pozitat dhe strukturat e partisë, transmeton Indeksonline.

“Dega e LDK-së në Vushtrri në mbledhjen  e jashtëzakonshme të mbajtur sot më datë 14.01.2022, pas situatës së krijuar në Kuvendin Komunal ku 3 asambleistët Agron Perçuku, Alban Bajrami dhe Behar Duraku, në 2 mbledhje radhazi, përkundër vendimit të degës së LDK-së ata për interesa personale kanë bashkuar votat me PDK duke votuar fillimisht kryesuesin PDK e pastaj sot edhe KPF. z. Ferit Idrizi i PDK-së vazhdimisht në debate televizive deklaronte hapur e publikisht që ka mbështetjen e disa ‘aktivistëve’ të LDK. Tradhëtarët u vet demaskuan në këto dy mbledhje të Kuvendit të Komunës” thuhet në njoftimin e LDK-së.

Sipas tyre, tre asambleistët kanë tradhëtuar besimin e elektoratit dhe aktivistëve të partisë.

“Për z. Idrizin e sekserët e tij politik, që blejnë e tregëtojnë me vota asambleistësh, ju themi që janë të humbur, qeverisja juaj është e paaftë dhe pa vizion për qytetin e Vushtrrisë. Pushteti me votat të manipuliara nuk mundet të caktoj përfaqësuesit e opozitës në KPF, është praktikë jo demokratike e pa parë dhe e padëgjuar në historinë institucionale të Kosovës. LDK Vushtrri do ti drejtohet me ankesë MAPL për këtë shkelje të Kuvendit të Komunës” thuhet tutje në njoftim.

Dega e LDK-së në Vushtrri  ka përfunduar komunikatën e saj duke quajtur mandatin e Idrizit “mandate të blerë”, duke falënderuar asambelistët dhe votuesit besnik të partisë./Indeksonline/