LDK për ligjin e KPK-së dhe KPM-së: Tendecë për kapjen kundërkushtetuese të institucioneve të pavaruara

Lidhja Demokratike e Kososvës ka reaguar pas miratimit të Ligjit të ri për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës nga Kuvendi i Kosovës.
Sipas LDK-së kjo është vazhdimësi e përpjekjeve të vazhduara populliste të Albin Kurtit për hartimin e ligjeve që nuk respektojnë ekuilibrin demokratik në vend, sikurse dhe ndarjen e roleve të institucioneve të pavarura brenda Kosovës, përcjell IndeksOnline.
LDK shtoi se nuk pranon e as nuk toleron tendencën e kapjes së drejtësisë dhe të mediave
Postimi i plotë:
Votimet e sotme në sallën e improvizuar të Kuvendit të Kosovës nga deputetët e partisë në pushtet, të dy ligjeve jetike për organizmin tonë shoqëror, atij të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe atij të Komisionit të Pavarur të Mediave, shpërfaqin tendencën e kapjes kundërkushtetuese të institucioneve të pavarura të Republikës së Kosovës.
Kjo praktikë, tanimë e konfirmuar me aktvendimet e Gjykatës Kushtetuese, është vazhdimësi e përpjekjeve të vazhduara populliste të Albin Kurtit për hartimin e ligjeve që nuk respektojnë ekuilibrin demokratik në vend, sikurse dhe ndarjen e roleve të institucioneve të pavarura brenda Kosovës.
Mospërputhja, ndërsa, me direktivat e Bashkimit Evropian, e të dy ligjeve në fjalë, është shmangie vlerore e orientimit tonë euro-atlantik, një praktikë tashmë e zakontë e pushtetit popullist që udhëhiqet nën logjikën e të majtës ekstreme.
LDK-ja as nuk pranon e as nuk toleron tendencën e kapjes së drejtësisë dhe të mediave. Demokracia si vlerë e si praktikë, për ekstremistët e majtë mund të jetë e rëndë, por për Republikën e Kosovës është e shenjtë.
Prandaj, që nga sot, ekipet tona punuese, kanë nisur hartimin e lëndëve përkatëse për Gjykatën Kushtetuese, me bindjen e plotë, se sikurse në dhjetë rastet e kaluara kundërkushtetuese edhe dy ligjet e sotme do të marrin të njëjtin përfundim.
Fatkeqësisht për vendin, humbja e kohës për të pasur një reformë të denjë e thelbësore në drejtësi, mbetet e parikuperuar. Ky pushtet, po i përfundon të katër vite qeverisje, në përpjekje antikushtetuese të kapjes së institutioneve, pa ndonjë rezultat konkret e pa ndonjë zhvillim thelbësor në asnjë fushë.